Në vitin 2018, qeveria shqiptare ndërmori një hap të rëndësishëm drejt sistemit të taksimit të pasurisë së paluajtshme, duke vendosur një metodologji të re për përcaktimin e vlerës së taksueshme të kësaj pasurie, veçanërisht për kategorinë e patundshme të tyre ose të quajtura ndryshe “ndërtesa”.
Ky ndryshim, i miratuar në bazë të “Metodologjisë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ‘ndërtesa’, e bazës së taksës për kategori specifike”, synon të inkorporojë, vlerat e pasurive në treg me taksat përkatëse, si një mënyrë për të rritur transparencën dhe saktësinë në procesin e taksimit të pasurisë. Një nga ndryshimet kyçe që ky vendim solli ishte rritja e çmimeve të referencës së apartamenteve mbi të cilat bëhet vlerësimi i taksës së pasurisë.
Së fundmi në Fletoren Zyrtare janë bërë publike ndryshimet që lidhen me këtë vendim, ku është theksuar rritja e çmimeve të referencës për metër katror të banesave. Sipas këtyre ndryshimeve, rritja mesatare e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës llogaritet rreth 29,600 lekë për metër katror.
Ndryshimet në fjalë tregojnë një rritje të ndjeshme të çmimeve, në rrethin e kryeqytetit, në zonën kadastrale 1/1 çmimi ka arritur në 102,800 lekë për metër katror, dhe për zonën kadastrale 5/3 e cila përfshin zonën e Komunës së Parisit, Kopshtit Botanik dhe Liqenit Artificial çmimi ka pësuar një rritje prej 57.800 lekë për meter katror dhe tani shënon një total prej 164.800 lekë për meter katror.
Për zona të tjera të kadastrës, përfshirë zonën e ish-Bllokut, ndryshimet e referencës kanë sjellë rritje të konsiderueshme ku çmimi arrin deri në 228,400 lekë për metër katror. Gjithashtu, zona e Medreses, e njohur për aktivitetin e saj ekonomik, ka përjetuar një rritje të çmimit referues dhe tani shënon një total prej 156,700 lekë për metër katror.
Efektet e rritjes së çmimeve të referencës janë të dukshme në taksimin e pasurisë të paguara nga qytetarët dhe bizneset. Taksa e ndërtesës për familjarët është rritur në 0.05% të vlerës së apartamentit, ndërsa për bizneset, taksa e ndërtesës është rritur në 0.15%. Kjo rritje e taksës synon të reflektojë më mirë vlerat reale të pasurive të paluajtshme në treg.
Në përfundim, çmimet e referencave për pasuritë e patundshme në Shqipëri janë një çështje komplekse që ndikojnë jo vetëm në nivelin e jetesës së qytetarëve por dhe në qasjen e investitorëve dhe profesionistëve për të ngritur bizneset e tyre në vendin tonë. Eshtë e rëndësishme të vazhdojë monitorimi i efekteve të këtij vendimi dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm për të përmirësuar procedurat dhe për të zvogëluar pasiguritë që mund të hasen gjatë këtij procesi.
Më poshtë do të gjeni tabelën e plotë mbi ndryshimet e çmimeve të referencës për Tiranën.