Në SCAN TV, në një bisedë me gazetaren Vjola Gremi, diskutuam mbi modelin e ri të strehimit, i cili parashikon 30% strehim social, 40% strehim të përballueshëm dhe 30% shitje në tregun e lirë. E analizuam këtë model nga këndvështrimi i tregut të pasurive të paluajtshme, duke u ndalur te formimi i çmimeve, raporti ofertë–kërkesë, fizibiliteti i projekteve dhe ndikimi i mundshëm në ofertën e re.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe ekuilibrit mes aktorëve që përcaktojnë funksionimin e sektorit: ndërtuesve, pronarëve të truallit, blerësve dhe shtetit. Për ndërtuesin, çdo projekt duhet të mbetet ekonomikisht i realizueshëm; për pronarin e tokës, vlera dhe kushtet e marrëveshjes mbeten elemente përcaktuese; ndërsa shteti ka një rol thelbësor në krijimin e kuadrit rregullator dhe mekanizmave që synojnë rritjen e aksesit në strehim. Në fund, qëndrueshmëria e një modeli të tillë lidhet me aftësinë për të harmonizuar objektivin social me realitetin ekonomik, në mënyrë që tregu të vazhdojë të prodhojë investime dhe banesa të reja.
